Policia e Shtetit ka pajisur strukturat e saj me 5,000 kamera trupi (body cam), të cilat do të shpërndahen në të gjitha drejtoritë vendore në vend. Procesi i pajisjes me këto mjete do të nisë fillimisht në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, ku efektivët e Policisë Rrugore do t’i mbajnë ato gjatë gjithë kohës së shërbimit. Pas fazës së parë në kryeqytet, përdorimi i kamerave pritet të shtrihet në të gjitha strukturat e tjera të Policisë së Shtetit në nivel kombëtar. Sipas specifikimeve teknike, sistemi lejon kontrollin e drejtpërdrejtë nga Sallat Operative të Policisë, të cilat do të kenë mundësinë të aktivizojnë dhe monitorojnë pamjet në kohë reale. Për të garantuar integritetin e provave dhe transparencën, efektivët nuk do të kenë akses për të ndërhyrë në regjistrime apo për t’i fshirë ato.