Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot në orën 10:00 për një seancë plenare, e cila vjen pas tensioneve dhe përplasjeve fizike të ndodhura mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës gjatë mbledhjes së javës së kaluar. Rendi i ditës përfshin shqyrtimin e 12 projektligjeve, një akti normativ dhe tri projektvendimeve. Ndër çështjet kryesore që pritet të diskutohen janë projektligji “Për Bankën e Shqipërisë”, i cili kërkon shumicë të cilësuar për miratim, projektligji për krijimin e Këshillit Fiskal të Republikës së Shqipërisë, si dhe ndryshimet në legjislacionin për akcizat. Gjithashtu, në rend dite është parashikuar një interpelancë me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, e kërkuar nga deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa. Seanca e sotme zhvillohet në një klimë të tensionuar politike. Gjatë mbledhjes së javës së kaluar, deputetët e opozitës bllokuan foltoren e Kuvendit, duke shkaktuar debate të ashpra me kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi. Pas atyre ngjarjeve, Sekretariati i Etikës vendosi përjashtimin për 60 ditë nga punimet e Kuvendit të gjashtë deputetëve të Partisë Demokratike: Flamur Noka, Belind Këlliçi, Edi Paloka, Fidel Ylli, Luçiano Boçi dhe Besart Xhaferri. Mbetet për t’u parë nëse seanca e sotme do të zhvillohet pa incidente dhe nëse palët do të arrijnë të vijojnë normalisht shqyrtimin e nismave të parashikuara në rendin e ditës.