Klinika e Neurologjisë në Shkup ka njoftuar organizimin e një sërë kontrollesh mjekësore falas për qytetarët, me rastin e Ditës Botërore të Goditjes në Tru, e cila shënohet më 29 tetor. Aktivitetet do të zhvillohen në dy ditë të ndryshme. Më 27 tetor, përpara restorantit “Pelister” në Sheshin Maqedonia, ekipet mjekësore do të kryejnë matje të tensionit të gjakut, nivelit të sheqerit dhe kolesterolit, si dhe do të ofrojnë vlerësimin e rrezikut nga goditja në tru. Më 28 tetor, Klinika e Neurologjisë do të organizojë një ditë të hapur për qytetarët nga ora 11:00 deri në 13:00. Gjatë kësaj periudhe, të interesuarit do të mund të kryejnë ekzaminime falas doppler të arterieve karotide. Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës së Neurologjisë, dr. Jovan Bozhinovski, deklaroi se kontrollet janë të hapura për të gjithë qytetarët e interesuar, pa kufizim të numrit të pjesëmarrësve. Ai theksoi se goditja në tru mbetet një sfidë serioze për shëndetin publik dhe nënvizoi rëndësinë e njohjes së shenjave paralajmëruese, kontrollit të faktorëve të rrezikut dhe marrjes së ndihmës së shpejtë mjekësore për shpëtimin e jetëve dhe reduktimin e pasojave shëndetësore.