Inflacioni vjetor në Shqipëri ka shënuar rritje në muajin tetor 2026, duke arritur në 3,4% krahasuar me 3,1% që ishte në muajin shtator, sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT). Në bazë mujore, çmimet e konsumit janë rritur mesatarisht me 0,3%. Sipas raportit të INSTAT, rritja e inflacionit është nxitur kryesisht nga shtrenjtimi i produkteve ushqimore dhe shërbimeve të transportit. Grupi i ushqimeve dhe pijeve joalkoolike ka shënuar një rritje vjetore prej 5,4%, duke dhënë kontributin më të lartë në inflacionin vjetor me 1,82 pikë përqindjeje. Brenda këtij grupi, rritjet më të ndjeshme janë vërejtur te peshku me 10,3%, perimet me 9,8%, frutat me 9,5% dhe qumështi, djathi e vezët me 6,4%. Buka dhe drithërat u shtrenjtuan me 2,4%, vajrat dhe yndyrnat me 1,6%, ndërsa mishi me 1,1%. Grupi i transportit ka regjistruar rritjen më të lartë vjetore, me 11,0%, duke kontribuar me 0,52 pikë përqindjeje në inflacionin total. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i karburanteve me 11,4%, blerja e automjeteve me 10,2% dhe shërbimet e transportit me 2,8%. Në grupet e tjera të shpenzimeve, sektori i argëtimit dhe kulturës është shtrenjtuar me 6,1%, duke kontribuar me 0,20 pikë përqindjeje, ndërsa grupi i banimit, ujit, energjisë elektrike dhe gazit ka shënuar një rritje vjetore prej 0,5%. Në kahun e kundërt, çmimet e veshjeve dhe këpucëve kanë pësuar një rënie prej 0,9%. Në krahasim me muajin shtator, çmimet e ushqimeve janë rritur me 0,6% në tetor, ku perimet kanë shënuar rritje prej 5,1% dhe frutat 2,3%. Po ashtu, gjatë këtij muaji, transporti është shtrenjtuar me 0,5%, ndërsa grupi i banimit ka shënuar një rritje prej 0,2%.