Kompania Anthropic ka prezantuar një funksion të ri për chatbotin e saj, Claude, të quajtur “Financat personale”, i cili u mundëson përdoruesve të lidhin llogaritë bankare dhe kartat e kreditit me inteligjencën artificiale për të analizuar shpenzimet. Përmes integrimit me platformën Plaid, Claude synon të shërbejë si një asistent financiar, duke ndjekur një qasje të ngjashme me atë që OpenAI prezantoi për ChatGPT në maj të këtij viti. Përmes këtij funksioni, përdoruesit mund të kërkojnë nga chatbot-i të analizojë shpenzimet e tyre, të cilat inteligjenca artificiale i kategorizon në fusha si ushqimi, faturat dhe shërbimet komunale. Përveç pasqyrës së shpenzimeve, Claude është projektuar për të identifikuar çështje të tilla si tërheqjet e dyfishta, tarifat bankare ose rritjen e çmimeve të abonimeve mujore. Gjithashtu, sistemi ofron shpjegime për terma ekonomikë në gjuhë të thjeshtë. Anthropic ka sqaruar se ky funksion operon vetëm në modalitetin e leximit, që do të thotë se inteligjenca artificiale nuk ka autorizim për të transferuar, shpenzuar apo investuar fonde. Kompania thekson se ndërfaqja nuk përmban reklama apo rekomandime për produkte bankare. Në lidhje me sigurinë e të dhënave, kompania deklaroi se chatbot-i ka qasje vetëm në një grup të kufizuar informacionesh, duke përfshirë emrin e bankës, llojin e llogarisë, katër shifrat e fundit të kartës, bilancin dhe historikun e transaksioneve të dy viteve të fundit. Anthropic garanton se bisedat dhe pyetjet e përdoruesve lidhur me financat nuk do të përdoren për trajnimin e modeleve të saj të inteligjencës artificiale. Funksioni i ri do të jetë i disponueshëm gjatë kësaj jave në fazën testuese për përdoruesit në Shtetet e Bashkuara që zotërojnë abonimet me pagesë Pro, Max ose Ultra.